Ndjenja e humorit mund të ndihmojë kundër humbjes së kujtesës tek të moshuarit dhe të qeshurit rrit aftësinë për të kujtuar duke përfshirë aktivitetin e çdo zone të trurit. Efektet e të qeshurave janë njësoj me ato që arrihen përmes meditimit. Një gjë e tillë sugjerohet nga dy studime të prezantuara në takimin vjetor të Mjekësisë Eksperimentale në San Diego, Kaliforni, raporton agjencia ANSA.
Studimi i parë u krye tek të moshuar diabetik dhe të shëndetshëm, të cilët u ndanë në dy grupe. Grupi i parë pa video humoristike 20-minutëshe dhe ishte pikërisht grupi që pati ulje më të madhe të kortizolit, hormonit që çon në rritjen e sheqerit dhe të stresit dhe tregoi edhe një rendiment më të mirë në testet e kujtesës.
Studimi i dytë tregoi efektet e llojeve të ndryshme të videove humoristike, komike apo antistres tek 32 persona që iu nënshtruan elektroencefalogramës. Ata që kishin parë video të lezetshme tregonin nivele më të larta të valëve gama, frekuencat e vetme që lëvizin në çdo pjesë të trurit duke aktivizuar nivele të larta të integrimit mes funksioneve të ndryshme. Një lloj gjimnastike e trurit që ndihmon për të mbajtur mend më shumë, përmbyllin autorët